Të shtëna me armë në zyrën elektorale të PD në Kavajë, 1 i plagosur! Mister shkaqet

19 Prill 2021, 23:30

KAVAJË- Të shtëna me armë në një zyrë elektorale të Partisë Demokratike në Kavajë kanë tronditur pasditen e sotme banorët atje, por edhe kanë 'trazuar ujërat' në politikën në Tiranë. Një i ri 27-vjeçar ka mbetur i plagosur, i identifikuar si Bledi Okshtuni teksa autor i shpallur në kërkim është Ndricim Jonuzi Tahiri, një person me precedentë penal i cili është dënuar në 2014 me 8 vite burg për vrasje me dashje.

Ende nuk ka detaje se çfarë ka ndodhur në të vërtetë ndërkohë që nga autoritetet është duke u hetuar mbi arsyet e konfliktit që çoi në përplasje. Megjithatë, Partia Demokratike me në krye Lulzim Bashën kanë nxituar duke drejtuar gishtin nga PS-ja dhe kryeministri Edi Rama. Nga vendi i ngjarjes, Basha e cilësoi si një atentat ndaj PD-AN nga një kryeministër që e di se do të humbasë në zgjedhjet e 25 prillit. Në përgjigje të tij, Rama tha se kjo ngjarje është shumë e rëndë, por politizimi i saj është edhe më i rëndë. Ai iu drejtua kryedemokratit Lulzim Basha që të mos nxisë tensione, e ndërsa shtoi se Meta duhet të ndalë fushatën e tij që ai e quan “idioteske të tensionimit”.Report Tv ka sjellë pamje nga vendi i ngjarjes, ku shihet që në ambientet e zyrës së PD-së ka njolla gjaku e ndërsa krijoi edhe kaos në rrugë, ku dhjetëra qytetarë u mblodhën pranë zyrës në mbështetje të të plagosurit, ku sipas selisë blu është sekretarit i PD-së në Kavajë. Në vendngjarje ka qenë edhe Grida Duma, kandidate për deputet në Kavajë, teksa edhe presidenti Ilir Meta ka deklaruar se do të jetë i pranishëm.