Teatri i Metropolit çel sezonin artistik, “Pesë ditë mbret” e Çapalikut në tarracën e Pallatit të Kulturës

7 Shtator 2020, 15:38

Prej mëse gjashtë muajsh, për shkak të pandemisë COVID 19, trupa e Teatrit të Metropolit po punon me shfaqje alternative online, por edhe në hapësira publike. Drejtoresha e Teatrit të Metropolit, Jonida Beqo na rrëfen se cilat janë strategjitë që do të ndjekin për këtë sezon teatror, që sapo ka nisur. Ndërsa, shfaqja e parë do të jetë “Pesë ditë mbret” me regji të  Stefan Çapalikut në datë 11 shtator 2020 në tarracën e Pallatit të Kulturës.
“Kjo është një rrethanë e paprecedentë, jo vetëm për Metropolin, por për mbarë globin. Po kërkojmë mënyra të reja të të bërit art për t’iu përshtatur këtij realiteti të ri. Gjatë pandemisë jemi përshtatur me vepra nga arkivi edhe vepra online, edhe pastaj duke provuar metoda të tjera në një kontekst urban, duke dëgjuar fjalën e MSH për t’iu kthyer jetës kulturore me këto kushte të reja. Në radhë të parë, javës tjetër vijmë me shfaqjen “Pesë ditë mbret” të Stefan Çapalikut në hapësirat e tarracës së Pallatit të Kulturës” shprehet Beqo.

Teksa shprehet optimiste për zhvillimet e reja edhe projektin e ri 14-mujor, (AIDA Adriatic Identity through Development of Arts), që Shqipëria do të jetë pjesë së bashku me Malin e Zi edhe Rajonin e Puglia-s, shton se ky projekt do të ketë në qendër hulumtimin e historisë edhe identitetit të lagjes së “Kombinatit”.