‘Teatri i Operës të shkëputet nga shteti’/Ministrja e Kulturës përgënjeshtron vetveten

26 Shtator 2020, 17:31

"TKOB duhet të dalë jashtë skemës së kësaj varësie totale nga shteti". Ndonëse fjalët e ministres së Kulturës Elva Margariti thënë pak ditë më parë në Teatrin Kombëtar të Operas dhe Baletit janë me zë dhe figurë, ajo i konsideron si trillime dhe të pabazuara. Në një njoftim të dytë dalë nga zyra e institucionit për mediet, që ka fatin e kulturës në dorë, ministrja përgënjeshtron vetveten, duke u shprehur se lajmi për një të ardhme të Operas jashtë strukturave të ministrisë së kulturës është i pabazuar.

E megjithatë, në këtë njoftim pyetjeve të komunitetit të artistëve që punojnë pranë TKOB nuk u jepet përgjigje.

1. Për çfarë ndryshimi e kishte fjalën ministria e Kulturës sa i përket varësisë së institucionit? Nëse jo një shkëputje totale nga ministria e Kulturës, a do të ketë palë të treta që do vendosin për fatin e Operës?

2. Njoftimi që tenton të sqarojë pa argumente dhe pika plani konkrete shtyn ne mendje modelet e huaja të menaxhimit, ndonëse shumë prej tyre kanë pika të mëdha ndryshimi. Kë model do të marrë ministrja e Kulturës për referim?

3. Në njoftimin e ministrisë së Kulturës sugjerohet që TKOB duhet të kthehet në polin referues për të gjithë rajonin. A nënkupton me këtë që me promovimin e artistëve të rajonit do të vijnë prej këtyre vendeve edhe fonde shtesë. Por si do të ndikonte kjo në hapësirën dedikuar prodhimtarisë artistike vendase (e vakt dhe në këto kushte) dhe artistëve vendas?

4. Ministrja flet për rritjen e konkurrencës, dhe mbështetjen e artistëve të rinj. Sipas njoftimit, konkurrenca rritet në aspekt rajonal, çka sjell si pasojë më pak hapësirë për talentet vendase.

5. Së fundmi, në njoftimin e ministrisë thuhet se këto ndryshime ende të paqarta do bëjnë që fitimet e Operas të mos kalojnë me në arkën e shtetit, por t’i mbeten institucionit. Nëse nuk do të jetë më opera që kalon fitimet vetëgjeneruese në buxhetin e shtetit, si pritet të zëvendësohen ato, veçanërisht në këtë periudhë pandemie, ku kriza po kalbëzon rrënjët e sistemit të mbajtur për 65 vite?