Teatri Kombëtar pa germa, drejtori: Nuk kam asnjë dijeni për autorët

26 Prill 2019, 14:42

Janë hequr mbrëmjen e djeshme germat e Teatrit Kombëtar. Deri më tani ende nuk dihet se kush janë autorët. Ndërsa, sa i përket ministres së Kulturës, Elva Margariti dhe drejtorit të këtij institucioni, Hervin Çuli, janë duke u bërë verifikimet përkatëse për zbardhjen e ngjarjes.

Ndërkohë, që një prej artistëve, i cili ka qenë pjesë e protestave të përhershme, që janë bërë kundër shembjes së Teatrit Kombëtar, Neritan Liçaj, kjo është një gjë për të mos u shqetësuar, pasi nëse realisht do të donin që të shembnin TK, kjo me siguri që nuk do ta linin me kaq.

“Të them të drejtën unë nuk jam shqetësuar fare, sepse nuk është për t’u shqetësuar. E para, sepse afatet ligjore kanë rënë. Edhe pse mund të mendohet, se ku pyesin këta për ligjin. Por mendoj se nëse do të kishin ndërmend që të sillnin buldozerin nuk do të merakoseshin për pesë germa, por mendoj më shumë se kjo është një lojë  e tyre e brendshme”, shprehet ndër të tjera Liçaj.

Ndërsa, ka reaguar për këtë lajm edhe deputetit i partisë Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, i cili i ka konsideruar personat që kanë bërë këtë gjë, batakçinj të qeverisë, që vjedhin germa të Teatrit.

Stafi i Teatrit Kombëtar, që drejtohet nga Hervin Çuli përreth një viti punën e zhvillon në ambientet e ArTubinës.