Tejkalimi i afateve në paraburgim, Gjykata e Posaçme kërkesë Burgjeve: Gjyqet t'i bëjmë online

3 Prill 2020, 12:39 | Përditesimi i fundit: 2020-04-03 13:35:22

Gjykata kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar i ka bërë kërkesë zyrtare drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve që seancat gjyqësore për të paraburgosurit që i kanë kaluar afatet e qëndrimit në qeli për shkak të pezullimit të gjyqeve nga situata me COVID-19, të bëhen online.

Kërkesa mban datën 26 mars dhe ende nuk ka një përgjigje nga Drejtoria e Burgjeve.

Kështu, Gjykata kërkon që të gjithë të paraburgosurit të mos transportohen me automjete të shoqëruar nga policia për të ardhur në seancë në gjykatë, por të krijohet një mundësi që përmes vendit ku ata qëndrojnë të organizohet një video-konferencë, pa praninën e tyre në gjyq.

Mësohet se nga drejtoria e Burgjeve është duke u punuar që seancat të zhvillohen me të paraburgosurit përmes lidhjeve me Skype.

Sipas kreut të GJKKO, Sandër Simoni, afatet e paraburgimit për një numër të burgosurish po shkojnë drejt fundit.

Po ashtu, për herë të parë gjykatat shqiptare janë duke ndryshuar sistemin e orarit nisur nga situata COVID0-19. GJKKO do të punojë nga ora 07:30 - 12:30 për t'iu përshtatur aktit normativ.