Teknologjia rimëkëmb tregun e punës, eksperti: Kërkohen punonjës të kualifikuar, pagat arrijnë deri në 5000 euro

4 Maj 2021, 19:34

Pas një rënie vitin e kaluar, punësimi këtë vit duket se po përmirësohet. Për ekspertin e çështjeve të punësimit Erald Pashaj, rritja më e lartë e punësimit është regjistruar në muajin prill, për dy faktorë kryesor.

“Punësimi në muajin prill ka pasur rritjen më të madhe gjatë gjithë një viti, që nga marsi 2020 deri në mars 2021 nuk ka pasur ecuri pozitive, kurse në prill ka rritje të lartë punësimi. Shikojmë kërkesë të lartë për punë të kualifikuar. Sot ne nuk flasim për treg lokal punësimi kemi edhe një treg ndërkombëtarë punësimi që luan një rol po aq aktiv, pra kemi njerëz të kualifikuar që dinë gjuhë të huaja dhe që dinë të përdorin programet kompjuterike që sot punojnë për tregun ndërkombëtar. Punojnë më shumë për tregun italian por edhe për vendet e tjera”, shprehet drejtori i EPPC Shqipëri-Kosovë.

 

Pandemia COVID-19, i ka dhënë një shtysë të fortë digjitalizimit, kjo tashmë konfirmohet edhe nga kërkesa në rritje sipas Pashajt për persona që janë aftësuar në fushën e teknologjisë.

“Më të kërkuarit vazhdojnë të mbeten të gjithë ata punonjës që mbeten në lëmin e teknologjisë, sot dikush që është me aftësi mesatare teknologjike, është i punësuar. Sot nuk ka persona që janë të papunë, pasi sot po punohet me paketa më të mirat ofruese nga kompani të caktuara. Nuk ka sot programues të papunë, sot programuesit janë në punë çështja është ku punojnë dhe sa i paguajnë dhe ku mund të gjejnë një vend që të gjejnë më mirë. Në vend të dytë janë profesionet që merren me administrimin. Të gjitha punët administruese të cilat mund të kryhen përmes teknologjisë sot kanë një kërkesë të lartë dhe kategoria e tretë janë të gjithë ata që punojnë me marketingun”, pohoi Pashaj.