Tela me gjemba, qen dhe patrulla/Nis gjuetia për migrantët përgjatë rrugës Ballkanike

3 Mars 2020, 14:49

Gjuetia e refugjatëve që po dynden nga Turqia për të mbërritur në vendet e BE përgjatë rrugëve ballkanike, ka përfshirë burime kapitale dhe njerëzore. Kufijtë e Serbisë dhe Maqedonisë së Veriut patrullohen nga mjete dhe policë të pajisur me kamera termike me rreze të gjatë, të cilat ofrojnë fusha zbulimi deri në disa kilometra larg.  

Misionet e kontrollit kufitar po mbështeten edhe nga forcat hungareze të sigurisë, të angazhuara të ndalojë hyrjet e paligjshme në BE. Dy gardhe paralele me tela, të pajisura me sensorë që japin goditje elektrike, shtrihen përgjatë 175 kilometrave midis Serbisë dhe Hungarisë. Edhe Austria gjithashtu ka njoftuar dërgimin e oficerëve të policisë në kufirin midis Hungarisë dhe Serbisë, të cilët kryesisht do të kontrollojnë trafikun hekurudhor.

Qëkurse Ankaraja i hoqi ‘tapën’ krizës humanitare në rajonin verilindor të Sirisë, në grupe të mëdha e të vogla, mijëra emigrantë nga Turqia prej ditësh po tentojnë të hyjnë në kufijtë e BE, duke përdorur tokën greke.

Edhe pse policia helenike ka përdorur gaz lotsjellës për të kthyer mbrapsht të shpërngulurit dhe i ka bërë ballë rreth 15 mijë prej tyre, vetëm dje në mëngjes më shumë se 18 mijë emigrantë kanë kaluar kufirin dhe po shkojnë në shtigje të rrezikshme drejt kufirit bullgar.

Zëdhënësi i presidencës turke, tha sot se deri tani 80.888 refugjatë sirianë kanë kaluar kufirin e BE-së kurse Ministri i Brendshëm turk, Suleyman Soylu, foli për 76.358 migrantë që kishin kaluar tashmë kufirin përmes krahinës së Edirnes.