Televizor 20 mijë euro’: Zbulimet që fundosën prokurorin e 'fortë’ Ramadan Troci

18 Dhjetor 2018, 12:51

Shtatë gjetje kompromentuese mbi pasurinë e deklaruar dhe të fshehur kanë ‘fundosur’ prokurorin pranë Prokurorisë së Përgjithshme, Ramadan Trocit, duke i kushtuar humbjen e detyrës. Troci njihej edhe si prokurori i ‘VIP-ve’, për shkak se ka arrestuar Ardian Fullanin dhe Shpëtim Gjikën. Në vendimin e shkarkimit, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka krijuar bindjen se Ramadan Troci ka fshehur pasuri të paluajtshme në emër të personave të afërt. Konkretisht, KPK dyshon se Ramadan Troci ka në pronësi një apartament luksoz në afërsi të ish-godinës së ATSH-së, të cilin e ka arreduar në mënyrë të tillë, sa që vetëm sistemi i ngrohjes dhe ftohjes kushton mbi 70,000 euro dhe televizori kushton rreth 20,000 euro.

“Në denoncimin e përcjellë pranë Komisioni, ndër të tjera hidhen dyshime se subjekti i rivlerësimit ka në pronësi të fshehur një apartament banimi në afërsi të ish-godinës së ATSH-së, në të cilën banon aktualisht. Lidhur me këtë apartament, denoncohet se subjekti e ka arreduar në mënyrë të tillë, sa që vetëm sistemi i ngrohjes dhe ftohjes kushton mbi 70,000 euro dhe televizori kushton rreth 20,000 euro. Në vijim ankuesi, denoncon se për posedimin e këtij apartamenti subjekti kamuflohet nga pronarët e minierave të Bulqizës, të cilëve pretendohet se u ka mbyllur shumë dosje”, thuhet në vendim. Komisioni dyshon edhe për fshehjen e disa pasurive të tjera tek Unaza e Re, si apartamente, njësi shërbimi e garazhe.