Tenderi për lotin e parë të Unazës së Re në Tiranë, PD: Rama ka paracaktuar fituesin

14 Janar 2019, 14:11 | Përditesimi i fundit: 2019-01-14 15:39:27

TIRANE-Zyrtarja e Partisë Demokratike, Lealba Pelinku përmes një deklarate për mediat ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka paracaktuar fituesin e tenderit të lotit të parë të Unazës së Re, që u anulua në fund të vitit të kaluar pas skandalit me kompaninë ‘DH Albania’. Sipas PD-së, kompania “Gjoka Konstruksion” është paracaktuar të shpallet fituese e një tenderi të manipuluar. Po sipas PD-së, ‘një nga faktet se tenderi është fasadë dhe fituesi i paracaktuar ka të bëjë me kriteret e qepura për klientin e Ramës në PPP-të’. Por, PD-ja, pavarësisht akuzave nuk ka sjellë asnjë dokument për të vërtetuar akuzat.

“Edi Rama është peng i pazareve me oligarkët e ndërtimit, prandaj nuk tërhiqet nga projekti kriminal i Unazës së Re. Sot, po ndodh teatri i rradhës me projektin korruptiv 40 milionë euro. Është hapur gjoja tenderi për segmentin e Shqiponjës, ku Edi Rama u kap me presh në duar duke vjedhur me kompani fantazmë, por e vërteta është se sërish fituesi është i paracaktuar.  Kompania “Gjoka Konstruksion” është paracaktuar të shpallet fituese e një tenderi të manipuluar përmes kritereve shumë specifike dhe të pakapshme nga shumica dërrmuese e kompanive të ndërtimit.” Askush nuk ka më dyshim se Edi Rama është ai që ka urdhëruar këtë projekt të zhvatjes së shqiptarëve, 20 milionë euro për 2.3 kilometra. Nuk shpjegohet ndryshe këmbëngulja e tij për të çuar 18 milionë euro një herë tek kompania fantazëm, e rregjistruar në parajsë fiskale, dhe tani tek kompania, e cila është ndër përfituesit e parë të megaprojektit hajdut “Shqipëria 1 miliardë euro”, nëpërmjet të cilit pastrohen paratë e korrupsionit.  

    No videos found.