Tensione në Mal të Zi, deputetët serbë nxirren me dhunë nga Kuvendi, bllokohen rrugët

27 Dhjetor 2019, 11:39

Pjestarët e sigurimit të Kuvendit të Malit të Zi në orët e vona të natës nxorrën me dhunë nga salla deputetët e opozitës serbe të Frontit Demokratik (FD), pasi që bllokuan votimin e Ligjit për Liritë Fetare. Ata më pas me furgonë policie janë dërguar në Qendrën e Sigurimit shtetëror në Podgoricë.

Paraprakisht deputetët serb shkaktuan incidente në sallën e Kuvendit, duke 'pushtuar' foltoren e kryeparlamentarit Ivan Brajoviç, ndërsa nuk munguan thirrjet për luftë, fyerje të rënda dhe tentime për përplasje fizike.

Një nga deputetët e Frontit Demokratik, Andrija Mandiç bëri thirrje për luftë, duke kërkuar që të jenë në gatishmëri të gjithë bashkëluftëtarët e tij në luftërat e viteve të 90 dhe ato të 99-ës. 

Maxhoranca malazeze dhe deputetët e komuniteteve të tjera refuzuan ndryshimet e paraqitura nga mitropoliti i Kishës Ortodokse Serbe (SPC) në Ligjin për Lirinë e Fesë.

Debati në Parlamentin Malazez për Ligjin për Lirinë e Fesë përfundoi dje në mbrëmje rreth orës 20:00, ku ligji mori dritën jeshile.