Tensionet me Serbinë, analisti Andoni: Asosacioni me kushtet e serbëve, 'kap për fyti' Kosovën

4 Gusht 2018, 16:02

Tensionet e ditëve të fundit në veri të Kosovës me komunat serbe, kanë sjellë deklarata të forta politike mes liderëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë.

Ben Andoni, analist, i ftuar në studion e “Report TV”, ka komentuar situatën politike. I ndalur tek marrëveshja për Asosacionin me Serbinë, Andoni ka thënë se nëse marrëveshja do të kalojë sipas kushteve të serbëve, atëherë Kosova do të ndahet dhe do të marrë trajtën e një Bosnje.

Duam apo s’duam, por serbët që prej paketës së Ahtisarit, kanë gjetje që i ndihmojnë. Ata kanë arritur diçka që kosovarët duhet ta kishin pritur më herët, dhënien e statusit special për disa komuna. Ato që ishin të panegociueshme, është ndarje për Kosovën. Njerëzit e mendojnë të largët, por Kosova, nëse asosacioni bëhet siç duan serbët, merr trajtën e një Bosnje. Kosova mund të ndahet.

Gjithçka po diskutohet në zyrat e Brukselit. Vuçiç ka më shumë fuqi se Thaçi. Shpresojmë që Kosova të mos bëhet si një Bosnje.

Ben Andoni, analist

Më tej, Andoni është shprehur se ideja e korrigjimit të kufijve vjen nga Brukseli. Sipas Andonit, Kosova është një investim amerikan.

Ideja e korrigjimit të kufijve vjen nga Brukseli. Thaçi është vetëm atropalanti i SHBA-së dhe BE-së. Urojmë që këto të mos shkojnë deri tek problemi i Kosovës. Kosova është investim amerikan. S’mendoj se do kemi problem me stabilitetin. Po shkojmë prej kohësh marrëveshjes Kosovë-Serbi. Futja e Maqedonisë në Nato e zvogëlon ndikimin sllav apo rus në Shqipëri.

Ben Andoni, analist

Në fund ai shprehet se deklarata e Ramës për bazën e NATO-s është një zhvillim i mirë për vendin dhe se uron që të japë siguri për problemet ekonomike, ndërsa për dialogun Serbi-Shqipëri ai thotë se do të donte që merrte jetë pasi nga ngërçi i kësaj marrëveshjeje Kosova po ndërpret shumë investime.

Deklarata e Ramës për bazën e NATO-s është një zhvillim i mirë për vendin tonë. Baza uroj të japë një siguri për Shqipërinë për problemet ekonomike. Kjo bazë do t’i japë fund diskutimeve të politikanëve shqiptarë për Amerikën. Në këtë vend, s’kemi luks të kemi rrugën e këtyre vendeve.

Debati ose negociatat Kosovë-Serbi ka kohë që zhvillohet. Do ishte interesante që marrëveshjet me të cilat është punuar deri tani të merrnin jetë. Sepse duhet të jemi koshientë. Serbia është vërtet në proces negociimi me Kosovën, edhe me Shqipërinë, për çështjen e energjisë. Një investim i madh gjerman ndërpritet ngaqë Serbia nuk do. Serbia duhet të njohë rregulla. Ata s’duan t’i paguajnë borxhet. Duhet të ishin më të hapur për gjërat që kanë premtuar në negoicatat me Kosovën. Komunat që janë ndërmjet Kosovës dhe Shqipëri janë të varfëra.

Ben Andoni, analist