'Tërmet' në drejtësi/ 3640 denoncime për korrupsion për gjyqtarët e prokurorët, ja regjistri

30 Shtator 2019, 18:12

Numri i denoncimeve për korrupsion dhe vendime të padrejta kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve, referuar nga qytetarët pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, organit bazë të Vetingut, ka shkuar në 3 640, tregues i besimit tek Vetingu. Sipas regjistrit që ka siguruar Shqiptarja.com, denoncimet janë depozitar pranë Komisionit të Vetingut, në harkun kohor të dy viteve, tetor 2017-gusht 2019. Denoncimet përmbajnë informacione të detajuara dhe në shumë raste edhe prova për korrupsionin, vendimet arbitrare, lidhjet me krimin, fshehjen e pasurive në emra të tjerë etj., për prokurorë dhe gjyqtarë që i janë nënshtruar dhe pritet t’i nënshtrohen procesit të Vetingut, për ligjshmërinë e pasurive, pastërtinë e figurës dhe aftësitë profesionale. Sipas regjistrit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjatë tre muajve të fundit të vitit 2017 janë referuar 435 denoncime nga qytetarët. Gjatë vitit 2018 janë referuar pranë KPK 1858 denoncime, ndërsa gjatë periudhës janar-gusht 2019 janë referuar 1 347. Numri më i lartë i denoncimeve kundër gjyqtarëve dhe prokurorëve rezulton në muajin dhjetor të 2017, me 321 denoncime.

3 640 janë referuar vetëm pranë Komisionit të Pavarur të Kualifikimit. Me qindra denoncime të tjera janë depozituar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, i cili thotë edhe fjalën e fundit për gjyqtarët dhe prokurorët në raport me drejtësinë. Ligji nr. 84/2016 “Për rivlerësimin të gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”, në nenin 53 të tij, parashikon se: “Çdo person që vjen në dijeni të fakteve ose rrethanave që mund të përbëjnë prova në lidhje me kriteret e rivlerësimit ka të drejtë të informojë drejtpërdrejt institucionet e rivlerësimit...”. Për këtë arsye, Komisioni i Pavarur i Kualifikimit mban regjistrin e denoncimeve. Në këtë regjistër mbahen të dhëna lidhur me numrin e denoncimeve, të dhënat e denoncuesit dhe subjektin e rivlerësimit për të cilin bëhet denoncimi. Çdo denoncim i qytetarëve verifikohet nga trupa gjykuese gjatë verifikimit të gjyqtarit apo prokurorit. Nëse denoncimi konfirmohet me prova dhe fakte, trupa gjykuese e përfshin në listën e arsyeve për shkarkimin e subjektit nga detyra.

Bashkëpunëtori
Ligji për Vetingun ka një nen për bashkëpunëtorin e drejtësisë gjatë Vetingut. Neni 54 parashikon mbrojtje të veçantë dhe amnisti për çdo qytetar, i cili ka marrë pjesë në vepër penale me një gjyqtar apo prokuror, por që shpreh vullnetin për të bashkëpunuar me organet e Vetingut, duke dhënë informacion të mjaftueshëm për praktikën korruptive ndërmjet tij dhe subjektit të rivlerësimit. Bashkëpunëtori i drejtësisë duhet të japë informacion të plotë dhe pa asnjë rezervë ose kusht, për të gjitha faktet, ngjarjet dhe rrethanat që shërbejnë si prova vendimtare për zbulimin, hetimin dhe parandalimin e korrupsionit të subjekteve të rivlerësimit.

Sipas ligjit, bashkëpunëtori i drejtësisë, në këtë rast nuk mund të ndiqet penalisht për veprat e korrupsionit që ka kryer me subjektin e rivlerësimit, sipas dëshmisë së dhënë. Ndërkaq, gjyqtari apo prokurori që ka përfituar shumën, mbart detyrimin t’ia kthejë atë bashkëpunëtorit të drejtësisë, pavarësisht se ka shkelur ligjin. Subjekti i rivlerësimit nuk legjitimohet të ngrejë pretendimin se fitimi i ardhur për shkak të kësaj shume ka humbur gjatë kalimit të kohës.