Tërmet në gjykatë/ Apeli rihap dosjen 'Grori', projektohet lirimi i vrasësit të Naim Zyberit

30 Maj 2019, 14:55

Kur janë mbushur 18 vite nga arrestimi dhe dënimi me burgim të përjetshëm të Arben Grorit, vrasësit të Naim Zyberit në Itali, gjykata e Apelit Tiranë, ka vendosur të rihapë çështjen e tij, duke i dhënë të drejtë për rishikimin e vendimit dhe gjykimin e Grorit në fazën fillestare, në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë. Ky vendim që ka shkaktuar tërmet në gjykatë dhe ministrinë e Drejtësisë, është marrë në 20 maj 2019 nga gjyqtarët Alaudin Malaj dhe Fatmira Hajdari, të cilët kanë qënë pro kërkesës së Grorit për rishikimin e vendimit të dënimit të tij me burg përjetë.

Vendimi që ka ngjallur shpresat e Grorit për liri, vjen katër muaj pasi shoku i tij Gert Gjinarari në 14 shkurt 2019 është liruar me kusht nga gjykata e Korçës. Vendimi në fjalë projekton praktikisht lirimin e Arben Grorit, i cili është vëllai i të ndjerit Artur Grori, pronarit të kompleksit “Artur” në Mullet të Tiranës. “Shqiptarja.com” mëson se vendimi është marë në dhomë këshillimi në 20 maj, ku trupa gjykuese e gjykatës së Apelit është mbledhur për të shqyrtuar kërkesën e të dënuarit Arben Grori, i cili kërkonte rishikimin e vendimit penal të formës së prerë me nr. 413 të datës 20 maj 2003 të marë nga gjykata e Tiranës, vendim në të cilin Grori është dënuar me burg përjetë për vrasjen e Naim Zyberit. Kërkesa e Grorit është pranuar për rishikimin e vendimit dhe pritet që shumë shpejt çështja ndaj tij të hapet për gjykim në themel, në gjykatën e Tiranës. Tashmë Grori do gjykohet me një tjetër trupë gjykuese, ndërkohë që nga të dhënat që disponon “Shqiptarja.com” ai që në fillim të procesit gjyqësor do kërkojë gjykim të shkurtuar, duke synuar dënimin me 25 vite burg.

    No videos found.