Tërmetet në Korçë/ Sistemohen në banesa sociale 140 banorë, ndihma edhe nga Tirana

4 Qershor 2019, 13:11 | Përditesimi i fundit: 2019-06-04 18:07:02

Pasi kaluan dy net në çadra, banorët e fshatit Floq janë akomoduar në ambientet e përcaktuara nga Emergjencat Civile. Mësohet se 45 banorë i janë drejtuar shkollës së fshatit, ndërtesë që nuk pësoi dëme nga lëkundjet sizmike. Ndërkohë, 25 banorë të tjerë, kryesisht gra dhe fëmijë janë transferuar në qendrën sociale "Kenedy". Ndërkohë vetëm 70 banorë do vijojnë të qëndrojnë në çadër, pasi pjesa tjetër janë rikthyer në banesat e tyre, të cilat u dëmtuan më pak nga tërmetet.

Mesditën e sotme do të mbërrijë në Korçë, ministra e mbrojtjes Olta Xhaçka ku do të vizitojë nga afër banorët e prekur nga tërmetet.

Ndërkohë një ditë më parë, kryeministri Edi Rama njoftoi se të gjitha banesat do të rindërtohen. Kreu i qeverisë deklaroi se pas inventarit të dëmeve do të nisë dëmshpërblimi dhe rindërtimi i banesave.

"Të gjitha banesat do të rindërtohen. Dje, në Floq dhe Qafëzezë të Korçës, me banorët e prekur nga tërmeti që goditi këtë rajon, si dhe drejtues të institucioneve qendrore dhe lokale. Pas inventarit të dëmeve, nis shumë shpejt dëmshpërblimi dhe rindërtimi për të gjitha familjet e prekura nga kjo fatkeqësi natyrore!", njoftoi Rama.  Edhe kryetari i Bashkisë, Erion Veliaj njoftoi se edhe Bashkia e Tiranës do të marrë përsipër rikonstruktimin e disa prej banesave.

    No videos found.