Tërmeti, eksperti: Plasaritjet në mure nuk përbëjnë rrezik, ja cila është një banesë e sigurt

29 Nëntor 2019, 12:32

Ka rezultuar me pasoja fatale tërmeti i datës 26 nëntor për vendin tonë. Sizmiologët thonë se rreziku ka kaluar, megjithatë paniku te njerëzit është prezent. Ky panik shtohet edhe nga ndonjë plasaritje e mundshme që mund të ketë ndodhur në shtëpitë tuaja, por ruani qetësinë: Kjo nuk do të thotë rrezik për shembje!

Projektuesi Arianit Koçillari, i ftuar në emisionin “Rreze Dielli” ka treguar se për të patur një ndërtesë të sigurt, duhen zbatuar disa kushte teknike të domosdoshme. Një ndërtesë, e ndërtuar nga profesionistë të licensuar është e sigurt dhe nuk ka vend për panik.

Janë disa kushte teknike që duhet të zbatohen. Kur një ndërtesë projektohet nga një profesionist I licensuar, ky projektim zbatohet nga një ndërtues i licensuar, kontrollohet gjatë zbatimit dhe kolaudohet nga një specialist i licensuar, presupozohet që ndërtesa të jetë e sigurt.”

Edhe për të gjithë ata që frikësohet nga ideja që jetojnë në pallate të vjetra, Koçillari thotë se këto ndërtesa nuk janë të rrezikuara, pasi janë zbatuar rregullat e projektimit dhe ndërtimit të tyre.

Nuk mund të them që ndërtesat e vjetra janë të rrezikuara sepse në komunizëm ka patur rregulla shumë strikte, nuk mund të abuzoje. Rregullat bazë të sizmiolitetit i kanë ruajtur, edhe pse me kalimin e kohës materialet vjetërohen.”

Për të gjithë skeptikët e pallateve të reja, Koçillari thotë se edhe pse nevoja për ndërtim pas viteve ’90 ka bërë që të abuzohet, sot në projektin e ndërtese është kusht që të bëhet projekti konstruktiv. Për të, një objekt i pabanuar është vetëm ai që ka dëmtime në konstruksionin mbajtës të objektit.