Tërmeti i 21 shtatorit, mbërrijnë në Shqipëri ndihmat e para nga Bashkimi Evropian

29 Shtator 2019, 14:27

Kanë mbërritur në Shqipëri ndihmat e parë të Bashkimit Evropian për familjet e prekura nga tërmeti i 21 shtatorit.  Këto ndihma kanë ardhur pas aktivizimit të Mekanizmit të Mbrojtjes Civile të BE-së.

Ndihmat nga disa vende anëtare të BE si Kroacia, Hungaria, kanë mbërritur në Drejtorinë rajonale të rezervave të shtetit në Lundër ndërsa priten edhe nga shtete të tjera.

Lajmin për nisjen e ndihmave nga BE e konfirmoi një ditë më parë Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka në prani edhe të ambasadorit të Delegacionit të BE në vendin tonë, Luigi Soreca.

Mes ndihmave një avion ushtarak grek solli këtë të diel kontributin e qeverisë së Greqisë për Shqipërinë.  Në ceremoninë e pritjes ishte i pranishëm edhe drejtuesi i ekipit të BE për Emergjencat Civile, Peter Glerum.