Tërmeti i shembi shtëpinë, e moshuara: Na shpëtoi tavani me kallama! Lopën e zuri brend

2 Janar 2020, 16:46

“Tjegullat për të bërë shtëpinë i kam mbajtur mbi shpinë, rrija natën dhe prisja tullat”, kështu e nis fjalën e saj nënë Vitorja nga Bubqi. Banesa e së cilës tashmë i ngjan një gërmadhe pasi u shemb nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ky fillimvit e gjeti çiftin e të moshuarve Mark dhe Vitore Doda në çadër, bashkë me të edhe familjen e djalit të tyre. E moshuara tregon vuajtjet që ka kaluar për të ndërtuar shtëpinë dhe që tashmë nuk ka asgjë, veç një çadre të ngritur në oborrin e banesës së tyre."Shtëpinë e kemi bërë me mund dhe djersë, nuk kam gjuhë e gojë për të thënë sa vuajtje dhe mund na është dashur për të ndërtuar shtëpinë. Kam mbajtur tjegulla në shpinë për të bërë shtëpinë.Ka 40 vjet që është bërë, tullat i kam prerë me dorë gjithë natën, i lija fëmijët i jepja gji dhe shkoja prisja tulla,360 tulla i prisja në natë. Isha nëna e 8 fëmijëve bëja punë edhe në kooperativë që të bëja normën dhe të bëja atë konak shtëpie që u shemb”, tha Vitore Doda

Nënë Vitorja thotë se nga tërmeti iu shemb edhe kasollja ku mbante gjënë e gjallë duke i zënën bagëtinë. Për këtë familje rritja e gjësë së gjallë ishte dhe burimi i vetëm ekonomik.

“Se tërmeti e prishi vendin e punëve, lopën e zuri brenda e këputi në shpinë. E mori djali e shiti në Fushë-Krujë te një kasap. Erdhi dhëndri të rregullojë vendin e pulave, se shpëtuan se fluturonin, por lopën dhe rosat i zuri brenda. Shyqyr që shpëtuam se erdhi atë natë me gjithë atë duf, por për fat e forcuam atë konak se kur ra tërmeti i parë ai plasi. Ai na shpëtoi jetën se tavani ka qenë me kallama, se të na binte në shpinë gjithë ai, 5 vetë do kishim vdekur ose do ishim aksidentuar”, tha nënë Vitorja.

10 mijë banorë kaluan natën e ndërrimit të viteve në çadër. Ditët e fundit temperaturat janë ulur ndjeshëm. I ftohti i acartë e bën akoma më të vështirë edhe jetesën e banorëve në çadra. Akoma më e vështirë është kjo situatë për fëmijët e të moshuarit.