Tërmeti/ Pronarët me banesa të siguruara do të dëmshpërblehen të gjithë

4 Dhjetor 2019, 20:44

Shoqata e Siguruesve të Shqipërisë, shprehen se kompanitë e sigurimeve janë të angazhuar për të mbuluar financiarisht dëmet e shkaktuara nga tërmeti i 26 nëntorit që shkaktoi 51 viktima dhe la pas shumë dëme materiale. Sipas kësaj shoqate kompanitë e sigurimeve garantojnë klientët se çdo dëm nga tërmeti do të kompensohet sipas kontratës dhe në kohën më të shkurtër.
Me anë të një reagimi zyrtarë kjo shoqatë thekson se grupet e punës në terren të kompanive të sigurimit po punojnë për rikuperimin e dëmeve materiale të shkaktuara nga tërmeti.

"Që ditën e  parë të katastrofës se 26 Nëntorit, kompanitë e sigurimeve janë angazhuar me grupet e tyre në terren për të konsultuar klientët e tyre për mundësitë qe kanë për rikuperimin financiar të dëmeve të shkaktuara nga tërmeti." thuhet në reagimin e SHSSH.

Ndër të tjera në reagimin e kësaj shoqate thuhet se kanë qenë qindra qytetarë që u janë drejtuar kompanive ku kishin siguruar banesat dhe objektet e tyre, për të marrë dëmshpërblimin, ndërsa nga ana e vetë kompanive të sigurimit janë ngritur grupe pune për të asistuar në procedurat e përfitimit.

"Për të lehtësuar personat e dëmtuar, shoqëritë e sigurimeve sqarojnë për publikun çdo konsumator që ka nënshkruar një kontratë sigurimi për banesën nga zjarri, tërmeti dhe përmbytja, në rast dëmi përfiton dëmshpërblim në varësi të dëmit të ndodhur pasi ka paraqitur kërkesën për dëmshpërblim. Siguruesi do të dëmshpërblejë të Siguruarin për dëmin e shkaktuar. Detyrimi i Siguruesit për dëmshpërblim kufizohet deri në masën e shumës së siguruar." thuhet më tej në deklaratë.

Ndërkohë Shoqata e Sigurimeve të Shqipërisë, bën me dije  se personat që kanë pasur të siguruara banesat dhe objektet e tyre, kanë marrë zgjidhje për sa i përket dëmeve të shkaktuara nga tërmeti i rënë më 21 shtator. Sipas të dhënave janë paguar deri tani mbi 650 raste dëmesh me një vlerë mbi 250 milionë lekë, si edhe janë në proces edhe rreth 300 raste të tjera me një vlerë prej rreth 200 milionë lekë.