Tërmeti/Ahmetaj- kryetarëve të Bashkive: 20 ditë kohë të evidentoni tokat shtetërore ku do rindërtohet

6 Janar 2020, 16:04 | Përditesimi i fundit: 2020-01-06 19:00:46

Ministri i Rindërtimit, Arben Ahmetaj ka dalë në një konferencë për mediat, lidhur me situatën pas tërmetit.

"Procesi konkret ka filluar që një ditë pas tërmetit ka vazhduar me akomodimin e të gjithë qytetarëve që humbën shtëpitë e tyre, bonusi i qirave bën të mundur që të gjithë familjarët të vazhdojnë të kenë mundësinë e një shtëpie me qira dhe në 2 janar Rama ka kërkuar nga Bashkitë në zonë e Emergjencës, të gjithë kryetarëve përkatës të Bashkive të fillojnë procesin ligjor të përcaktimit të tokave ku do të ndërtohen qytezat urbane të cilat Rama u është referuar në vazhdimësi dhe janë pjesë e ligjit të posaçëm për rindërtimin. Brenda 15-20 ditë do të kemi të përcaktuar në të gjithë territorin e Shqipërisë. Të gjitha Bashkitë janë të detyruara brenda afatit të sjellin të gjithë verifikimin e trojeve ose tokave ku do ndërtohen banesat individuale apo qytezat. Ndërkohë, sot kemi kaluar vendime për përcaktimin e rregullave, masën e shpenzimit që kompensohen autoriteteve përgjegjëse të qytetarëve që do përfitojnë. Për herë të parë në 30 vite që hartohet një ligj i posaçëm në përgjigje të emergjencës", tha Ahmetaj.