Terroristët e infiltruar si gazetarë intervistuan Baba Mondin, Kryegjyshi: Mund të isha dhe unë shënjestra

24 Tetor 2019, 19:15

TIRANË- Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Baba Mondi rrëfen për Report Tv momentin kur u lajmërua nga policia, në festën e Sulltan Novruzit, marsin e vitit të shkuar,  për arrestimin e dy personave, të dyshuar si pjesë e një celule terroriste iraniane.

“Ata ishin të ftuar për një konferencë botërore në datën 19 mars dhe ishin ftuar dhe për rastin e festës për të bërë xhirime dhe të tregohej aktiviteti i Kryegjyshatës botërore për t'u treguar dhe ajo në arenën botërore dhe në Iran. Erdhën si gazetar ne nuk dinim gjë, se kuptohet janë të ftuar. Kur ishim në fillim të ceremonisë edhe presidenti na lajmëruan se janë arrestuar dhe kaq dimë pastaj më mbrapa pastaj morëm vesh që ato janë mbajtur në polici pastaj kanë ikur janë lënë të lirë. Ata më morën një intervistë se ç’është bektashizmi, veprimtaria jonë në Shqipëri dhe në Ballkan”-u shpreh Baba Mondi

Baba Mondi u shpreh se qëllimi për sulmin terrorist të organizuar mund të ketë qenë për të prishur bashkëjetesën fetare që kanë shqiptarët.

“Po derisa ata kanë ardhur kushedi ku ka qenë qëllimi i tyre, mund të ketë qenë tek shteti, mund të ketë qenë tek unë, mund të ketë qenë tek besimtarët mund të ketë qenë që të vriteshin sa më shumë njerëz për të prishur imazhin e Shqipërisë dhe për të prishur bashkëjetesën që kemi ne midis besimeve fetare që siç e dini është një rast unikal në botë. Bektashinjtë, ortodoksët, katolikët, protestantët, myslimanët jemi të gjithë bashkë martohemi me njëri-tjetrin kemi një bashkëjetesë të shkëlqyer”–tha kryegjyshi i Bektashinjve

Kryegjyshi i Bektashinjve thekson se nuk ka marrë kërcënime, por në festat e zhvilluara pas këtij incidenti kanë qenë të shtuara masat e sigurisë nga forcat e policisë dhe anti-terrori.

“Mua s'më ka ardhur gjë zyrtarisht që të them që jam nën kërcënim, por kur ka raste të tilla mund të përforcohen me polici me anti-terror siç kemi patur raste të tjera domethënë pas asaj që ndodhi. Kur ka pasur festa kanë ardhur policia domethënë mos ndodh ndonjë incident kjo është. Ndryshon Shqipëria nga gjithë vendet e tjera kjo është dhe merita e shqiptare që nuk janë pjesë e terrorizmit nuk janë pjesë e inatit nuk janë pjesë e të keqes, por janë pjesë e të mirës”- tha Baba Mondi.