Terrorizoi banorët e qëlloi 12 herë drejt policisë, RENEA plagos dhe arreston 45-vjeçarin në Elbasan

25 Dhjetor 2020, 16:52 | Përditesimi: 25 Dhjetor 2020, 16:52

Pas më shumë se 16 orësh në arrati, policia ka arritur të arrestojë 45-vjeçarin Josif Kavajën në Zavalinë mëngjesin e sotëm (25 dhjetor). Ai është kapur i gjallë ndërsa mësohet se gjatë orëve të natës Kavaja ka qëlluar me armë drejt efektivëve të RENEA-s dhe drejt fshatit.

Këta të fundit i janë kundërpërgjigjur duke e plagosur 45-vjeçarin me dy plumba, një në bark dhe një në këmbë.  

Pas arrestimit, Kavaja u dërgua menjëherë në spitalin e Elbasanit ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Forca të shumta policie kanë 'blinduar' spitalin.

Ngjarja ndodhi në fshatin Seltë të Elbasanit kur policia shkoi për kontroll në banesën e Kavajës me vendim gjykate pas denoncimeve të fqinjëve se ky i fundit mbante armë zjarri pa leje me të cilën i kërcënonte.

Në momentin që policia mbërriti në shtëpinë e 45-vjeçarit, në tentativë për t'i shpëtuar uniformave blu ka qëlluar me armë tip kallashnikov në drejtim të tyre duke u rrezikuar jetën.

Fatmirësisht nga të shtënat me armë nuk pati të lënduar. Mësohet se ai ka qëlluar 12 herë drejt policisë. Më pas, ai është larguar nga banesa e tij dhe shkoi në drejtim të pyllit.

45 vjeçari banon i vetëm, ndërsa në lagjen ku ndodhet ai janë 8 shtëpi të pa banuara. Nga raportimet paraprake, dyshohet se 45-vjeçari vuan nga probleme të shëndetit mendor.

b.ha./Shqiptarja.com