Testi i Policisë për gradën 'Komisar' dyshohet se u shit për 4 mijë €, përgjimet zbuluan pazaret

18 Nëntor 2018, 15:18 | Përditesimi: 18 Nëntor 2018, 15:18

Përgjimet nga struktura e kontrollit të brendshëm në Policinë e Shtetit zbuluan se teza e testimit për gradat në polici ishte shitur 48 orë para provimit. Report Tv ka mësuar nga grupi hetimor se me kallëzimin e depozituar pranë prokurorisë iu është vënë në dispozicion hetuesve edhe dyshimi i krijuar nga përgjimet ndaj dy oficerëve në detyrë.

Të njëjtat burime sqaruan se një nga oficerët, i cili po ashtu ka qenë garues për gradën e Komisarit ishte në përgjim për një tjetër vepër penale, por teksa fliste në celular me persona të ndryshëm është zbuluar dhe fakti që ai dispononte pyetjet e testit.

Ndërsa jo zyrtarisht në përgjime rezulton se flitet për vlera të shitjes së testit nga 2500-4000 euro nga një aplikant tek tjetri.