Testohen 3 raste të reja për koronavirusin/ Ministria e Shëndetësisë: Rezultuan negative

1 Mars 2020, 10:44 | Përditesimi i fundit: 2020-03-01 11:12:06

TIRANE- 3 raste të reja janë testuar ditën e djeshme për shkak se kanë shfaqur shenja të koronavirusit, duke e çuar numrin e personave të testuar në vendin tonë në 29. Ministria e Shëndetësisë njofton se ata kanë rezultuar negativë. 

Ministria i bën thirrje personave që kanë udhëtuar në zonat e prekura të vetëkarantinohen për 14 ditë, ose të telefonojnë në numrin 127 për të treguar nëse kanë apo jo shenja të virusit, apo nëse kanë pasur kontakt me persona të prekur.

"Nga periudha e shfaqjes seë epidemisë në Kine e deri mbrëmjen e djeshme janë testuar në total 29 raste të dyshuar, të cilët kanë rezultuar negative për COVID-19. Rastet kanë pasur shenja të infeksionit të sipërm respirator dhe histori udhëtimi me vendet ku ka shpërthime komunitare. Po kryhet monitorimi për të gjithë ata që hyjnë në Shqipëri. Ata që kanë ardhur nga rajonet e prekura të vetëkarantnohen për 14 ditë.  Qytetarët që kanë udhëtuar në vendet e preukura të telefojnë në numrin 127, për të treguar nëse kanë shenja të koronavirusit apo nëse kanë pasur kontakte me persona të prekur", tha Eugena Tomini, shefe e Epidemiologjisë në Institutin e Shëndetit Publik.

Në mbledhjen e dy ditëve më parë të Task- Forcës, Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu, kërkoi nga strukturat shëndetësore në territor rritjen e vigjilencës për të identifikuar në kohë rastet e mundshme dhe për të zbatuar konkretisht planin tashmë të hartuar të masave për parandalimin e depërtimit dhe përhapjes së COVID-19.