Teuta mposht Vllazninë dhe ngjitet në vendin e dytë, Laçi i merr tre pikët Kukësit

3 Mars 2021, 20:44

Java e 22 e Superligës ka prodhuar rezultatet tejet befasuese, duke i dhënë një tjetër panoramë kampionatit. Kjo pasi sot Vllaznia kryesuese është mposhtur 1-0 nga Teuta dhe për rrjedhojë diferenca me ‘djemtë e detiti’, që tani janë ngjitur në vendin e dytë, ka shkuar në vetëm 1 pikë.

Golin e vetëm në ‘Loro Boriçi’ e ka realizuar Dejvi Bregu në pjesën e parë. Ndërkohë në vendin e tretë është ngjitur Laçi, që në Elbasan Arena ka mposhtur Kukësin me rezultatin 1-2. Me këtë fitore kurbinasit kanë shkuar në kuotën e 40 pikëve, po aq sa Teuta dhe një pikë më pak se Vllaznia.

Hapin fals sot e ka bërë Partizani, që nuk ka shkuar më shumë se një barazim 1-1 kundër Apolonisë. Fierakët realizuan të parët, ndërsa skuadra e Dajës barazoi me Kardozon. Me këtë rezultat Partizani zbret në vendin e katërt, por është vetëm dy pikë më pak se Vllaznia kryesuese.

Sakaq për t’u veçuar ka qenë Tirana e cila sot ka marrë një tjetër fitore. Bardheblutë e Shehit kanë mposhtur pastër 2-0 Bylisin, ndërsa në Korçë Kastrioti ka zhytur akoma më shumë Skënderbeun. Korçarët e vendit të fundit kanë humbur 0-1.