Thaçi i ashpër ndaj BE-së: Ka mbyllur dyert për Kosovën, ne kemi përmbushur të gjitha kriteret

29 Maj 2019, 20:19

Presidenti Thaçi ka folur ditën e sotme mbi aktualitetin politik të Kosovës dhe ka lëshuar disa deklarata në raport me ndërkombëtarët.

I pranishëm në konferencën “20 vite pas: Perspektivat dhe Sfidat për Ballkanin Perëndimor”, Thaçi ka thënë se Kosova është një histori suksesi, por ende e papërfunduar. Aspirata e tyre mbetet anëtarësimi në BE edhe pse ende nuk kanë arritur marrëveshje me Kosovën.

“Po ndodh ajo që nuk do të duhej të ndodhte, sot BE ka mbyllur dyert për Kosovën. Ne kemi përmbushur të gjitha kriteret, tash e tri vite është dhënë rekomandimi për viza dhe nuk ka vendim. Jo me fajin tonë ky izolim, por nga paaftësia e shteteve anëtare për të marrë vendim për liberalizim të vizave. Të gjitha kriteret i kemi përmbushur, edhe luftën kundër krimit dhe korrupsionit”, deklaroi kreu i shtetit të Kosovës.

Ndërkaq, Thaçi tha se nuk do ketë asnjë lëshim ndaj Serbisë për hir të vizave.

“Qëndrimi im është se as nuk do të ketë autonomi dhe nuk do të ketë Asociacion, sepse ajo do të nënkuptonte një Republikë serbe brenda Kosovës. Po, unë vet jam pajtuar më herët që të ndodhë diçka e tillë, por kanë ndryshuar rrethanat. Për hir të liberalizimit të vizave nuk mund t’i japim Asociacion, edhe taksa duhet të mbetet në fuqi”, u shpreh presidenti Thaçi.