Thaçi: Presidenti përfaqëson vendin në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar

11 Qershor 2020, 14:43

Lidhur me debatin e krijuar se fundi se kush do të udhëheqë dialogun Kosovë – Serbi , presidenti i Kosovës apo kryeministri, Hashim Thaçi ka deklaruar se atë do ta udhëheqin përfaqësuesit legjitimë të Kosovës.

“Ne nuk jemi në garë me njëri-tjetrin, do të plotësojmë njëri-tjetrin. Ne edhe të bashkuar do të përballemi me vështirësi dhe pengesa të mjaftueshme. Presidenti i vendit e përfaqëson vendin në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar, dhe gjithçka është e përcaktuar në Kushtetutën e Kosovës, kompetencat janë të qarta. Në këtë drejtim nuk ka asnjë dilemë”, ka shtuar mes tjerash ai.

Një ditë më parë kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti ka thënë se dialogu me Serbinë, do të udhëhiqet nga kryeministri i vendit.

“Dialogun e udhëheq kryeministri i Kosovës. Ka pasur diskutime nga më të ndryshmet, javët dhe muajt e fundit, unë nuk do të bëj kurrfarë gare me bartësit tjerë institucionalë, pasi që kompetencat e mia kushtetuese janë të qarta, përfshirë edhe kompetencat për dialog”, ka deklaruar Hoti.

Kujtojmë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është pezulluar nga nëntori i vitit 2018, kur autoritetet e Kosovës patën vendosur taksë 100 për qind në mallrat e Serbisë dhe Bosnje-Hercegovinës.