Thaçi: Washingtoni, dera më e mirë për të trokitur për marrëveshjen finale...BE-ja e ka besimin të cënuar!

18 Qershor 2020, 13:03

Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, deklaroi se Washingtoni është adresa më e mirë dhe më e besueshme për të trokitur. Ajo do të japë marrëveshjen përfundimtare në bisedimet midis Kosovës dhe Beogradit.

Thaçi tha se “Ne si Kosovë gjithmonë kemi kërkuar që në tryezën e  bisedimeve të jenë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërsa tani jo vetëm që janë në tryezë, por janë edhe udhëheqës të këtij procesi, prandaj besimi ynë është i plotë se gjërat do të shkojnë në drejtim të mundësisë së arritjes së një marrëveshje përfundimtare me Serbinë”.

Për presidentin e Kosovës, marrëveshja përfundimtare do jetë tepër e vështirë për tu realizuar por do të arrihet dhe se Kosova në fund të gjithëkësaj do të anëtarësohet në OKB dhe në të gjitha organizatat ndërkombëtare.

I pyetur në lidhje me deklaratën e emisarit amerikan Richard Grenell, i cili tha se  “nëse cilado palë mbetet e pakënaqur me diskutimet e 27 qershorit në Washington, do të kthehet në ‘status quo’ pasi të largohet nga SHBA-ja, - a do të thotë kjo se palët do të qëndrojnë në Washinton derisa të ketë marrëveshje?- Thaçi tha se në këtë rast Prishtina edhe Beogradi do të ishin humbëset.

Kosova – tha ai- nuk është e gatshme të paguajë këtë çmim, por është e gatshme të shfrytëzojë mundësinë për arritje të një marrëveshjeje të rëndësishme për konsolidimin e shtetit në rrafshin e brendshëm dhe atë ndërkombëtar.