‘Thesaret e Muzeut Historik Kombëtar’ në një katalog

24 Shtator 2019, 16:43

Katalogu “Thesaret e Muzeut Historik Kombëtar” botohet në gjuhën shqipe edhe frënge. Promovimi i tij u bë në Bibliotekën e Muzeut. Thesaret që janë pjesë e këtij botimi u përkasin tre pavijoneve në Muzeun Historik Kombëtar, atij të Lashtësisë, Mesjetës edhe këndi i pashallëqeve të mëdha shqiptare edhe i ikonografisë. Në pavijonin e lashtësisë ekspozohen 585 objekte, në të mesjetës 217 objekte edhe tek i ikonografisë 70 ikona dhe 20 objekte liturgjike kishtare. Drejtori i Muzeut Historik Kombëtar Dorian Koçi edhe dy autorët e tjerë të librit, Skënder Bushi dhe Andrea Llukani shpjegojnë rëndësinë e këtij botimi dy gjuhësh.

“Këto objekte që përfshihen në këtë katalog janë të ekspozuara në Muzeun Historik Kombëtar, si pjesë e ekspozitës së përhershme në MHK. Por, për ne është kënaqësi që Ditët e Trashëgimisë Kulturore Europiane ne i kalojmë me botimin e këtij libri, që synojmë ta sjellim në disa gjuhë europiane, që të jetë një pasaportë e rëndësishme edhe për turistët e huaj. Këtu janë një përzgjedhje e rëndësishme e antikitetit, mesjetës dhe ikonografisë”, shprehet drejtori i Muzeut Historik Dorian Koçi.

Ndërsa, ambasadorja e Francës në Shqipëri Christine Vasac e konsideron botimin e këtij katalogu, një mundësi më shumë për turistët francez, që promovohet në ditët europiane të trashëgimisë 

“Ekziston një lidhje midis Ditëve të Trashëgimisë Kulturore edhe Muzeut Historik Kombëtar. Kam lexuar në pllakën në hyrje, që Muzeu Historik është inauguruar në vitin 1981. Në fakt në vitin 1981 kanë lindur edhe ditët e Trashëgimisë Kulturore në Francë. Prandaj, ta vazhdojmë këtë bashkëpunim jo vetëm për vizitorët francez, por edhe frankofonë. Përpos kësaj është një shans shumë i madh për Shqipërinë, që prej dy vitesh është anëtare me të drejta të plota, e frankofonisë”, shprehet ambasadorja e Francës në Shqipëri, Christine Vasac.

Ndërsa, sa i përket dëmeve që mund të ketë shkaktuar tërmeti që ra në këtë institucion, Dorian Koçi shprehet se: “Nuk ka objekte të dëmtuara, përveçse plasaritjeve të lehta. Nuk ka vend për alarm, sepse tërmetet nuk parashikohen”.

    No videos found.