Thirrje nga call center: “Kërkojmë punëtorë të rinj, problem transporti”

17 Prill 2020, 18:54

Kompanitë call-center në Shqipëri që kanë punësuar rreth 20 mijë persona po përballen me vështirësi ekonomike, duke rrezikuar deri edhe vendin e punës. Që nga shpallja e pandemisë të gjithë Call center-at u vendos që të mbylleshin dhe rifilluan punën me orare të kufizuara më 20 mars. Ina Grabocka, me pozicionin projekt menaxhere në një prej kompanive Call center në Tiranë, në një lidhje skype për Report TV në emisionin 'Repolitix' u shpreh se mbi 100 punonjës e kanë të pamundur ardhjen në punë, pasi jetojnë larg dhe nuk i kanë kushtet e transportit. Për punonjësit e kësaj kompanie problemet jane të shumta në këtë pandemi globale. Më kryesorja problematikë mbetet transporti, pasi duhet të ecin në këmbë edhe për afro 1 orë, që të arrijnë në punë. Ata nuk ndihen aspak të frikësuar, pasi masat në këtë kompani janë marrë në maksimum, ku sipas punonjësve, ato pajisen me pajisjet mbrojtëse sapo shkojnë në punë, duke i ndërruar maskat apo dorezat 2 herë në ditë.