Thirrjet e Presidentit dhe opozita/ Raportuesja për Shqipërinë në PE në Tiranë: Jo ndasi, dialog!

21 Shkurt 2020, 17:40

TIRANE-Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Izabel Santos u bëri thirrje palëve politike në Shqipëri që lënë ndasitë dhe të bashkohen duke u ulur për të dialogur për interesin e përbashkët, që është hapja e negociatave dhe integrimi i vendit në BE. Në një konferencë për mediat nga 'Shtëpia e Europës' së bashku me ambasadorin e BE-së, Luigi Soreca, Santos kërkoi që të miratohet sa më shpejt reforma zgjedhore. 

"Do të përpiqem që të mos komentoj politikën e brendshme të Shqipërisë. Ky është një moment për të qenë të bashkuar, nuk është momenti për t'u ndarë. Jemi para një hapi të rëndësishëm për vendin, u bëj thirrje të aktorëve politikë. Askush nuk mund të thotë se përgjegjësia është vetëm e BE-së, është e BE-së, por edhe përgjegjësia e aktorëve politikë në këtë vend. Bëj thirrje për përmbushjen e kritereve që janë vendosur për vendin.

Të gjitha forcat të futen në dialog dhe të vijojnë reformat dhe të vijojnë përpara për atë që është në interes të popullit shqiptar. Nga sondazhi del se 95% duan të jenë në BE dhe kjo është mbi interesat tona, si politikanë. Unë u bëj thirrje aktorëve për bashkim dhe dialog. Thirrja ime e vetme është të vijoni me reformën zgjedhore në bazë të rekomandimeve të OSBE-së, ndërsa hapi i dytë për zgjedhjet, është një vendim që duhet ta marrin aktorët politikë" tha ajo.

E pyetur lidhur me kërkesën e opozitës për zgjedhje të parakohshme pas miratimit të reformës zgjedhore, Santos tha se "Nuk më takon mua të ndërhyj në vendime të kësaj natyre. Politikanët duhet të kuptojnë se cili është interesi i qytetarëve dhe këto interesa duhet të qëndrojnë përmbi cdo interes tjetër të partive politike".

Izabel Santos vlerësoi edhe vendimin e shumicës për të shtyrë vendimin për paketën anti-shpifje pasi të flasë Komisioni i Venecias. "Vendimi i kohëve të fundit për ta shtyrë ligjin e anti-shpifjes është një sinjal i mirë. Shpresoj që ligji përfundimtar të marrë parasysh gjithë rekomandimet e OSBE dhe të jetë në përputhje me standardet europiane sepse kjo është shumë e rëndësishme për BE" tha ajo.