Thyen karantinën, gjobiten me 7 mln lekë 5 persona të infektuar! Ndëshkohen 571 qytetarë pa maska

4 Dhjetor 2020, 13:19

U konstatuan duke lëvizur pa maskat mbrojtëse, ndëshkohen me masë administrative 3.000 lekë, 571 qytetarë.

Ndëshkohen me nga 700.000 lekë, 5 shtetas që nuk zbatuan vetëkarantinimin e detyrueshëm.

Ndëshkohen me masë administrative edhe 18 shtetas që u konstatuan duke lëvizur në këmbë pas orës 22:00.

Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës së re për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.  

Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 571 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse.  

Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 6 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.