TIRANE- Kryeministri Edi Rama vizitoi sot panairin “Shqipëria punon tokën” i çelur në sheshin Skëndërbej, ku për dy ditë do të zërë vend ajo pjesë e Shqipërisë që punon e prodhon për tregun vendas dhe eksportin.
Gjatë fjalës së kryeministri u shpreh se bujqësia është një fushë ku po bëhen ndryshime kolosale, ndonëse problemet ekzistojnë dhe janë pjesë e procesit të zhvillimit. “Është një edicion shumë më i madh se vitet e mëparshme. Ka shumë gjëra për të parë dhe për të mësuar. Ajo që nuk del dhe nuk duket në pasqyrat e medias, këtu është një mundësi për ta parë dhe për ta kapur si sintezë në një fushë ku po bëhen ndryshime kolosale dhe pastaj në pasqyrat e medias dalin vetëm problemet që patjetër dhe ato ekzistojnë, por janë pjesë e procesit”, u shpreh Rama.
Kreu i qeverisë shoqërohej nga djali i tij i vogël Zaho, me të cilin vizituan njëra pas tjetrës stendat e vendosura në sheshin Skëndërbej, ku u njohën edhe me produktet e ekspozuara. Ata u ndalën edhe tek kafshët të cilat janë sjellë nga fermerë nga e gjithë Shqipëria. Rama shkëmbeu edhe batuta me të birin teksa tha se është njohës i mirë i emrave të kafshëve. 'Se është katunar i njeh mirë', tha kryeministri.
Ministri i Bujqësisë Bledi Çuçi tha se panairi është konceptuar si një ditë që sjell fshatin në zemër të Tiranës, pikërisht për të parë nga afër dhe drejtpërdrejtë ndryshimin e madh që ka ndodhur. Ministri u shpreh se shumë investitorë të mëdhenj, po i kthejnë sytë nga sektori bujqësor për të investuar.
“E kemi konceptuar si një ditë që të sillnim të gjithë fshatin në qendër të Tiranës, për të parë dhe më mirë me sy drejtpërdrejtë. Ky panair demonstron një ringritje të fshatit dhe një kthim edhe të investitorëve të mëdhenj. Kemi shumë investitorë të mëdhenj që po i kthejnë sytë nga sektori bujqësor për të investuar. Ne po bëjmë të pamundurën edhe nëpërmjet politikave fiskale që kemi ndërmarrë, duke lehtësuar nga taksat, por edhe nëpërmjet ndihmës, qoftë skemës kombëtare, qoftë të BE-së përmes programit IPARD dhe politikat tona dua të them që po rezultojnë të suksesshme”, tha Çuçi.