‘Ti nuk je vetëm’, mbështetje për gratë e dhunuara! Shoqata ‘refleksione’ mbështeti rreth 1 mijë të dhunuara

25 Mars 2021, 21:20

Prej disa vitesh unë kam përjetuar dhunën në familje. Ju them që të gjithëve denonconi dhunën në familje”, tha një vajzë e dhunuar.

“Edhe unë e kam përjetuar dhunën. Ju lutem të gjitha grave, vajzave e nënave mos e lejoni dhunën në familje ju lutem”, u shpreh një tjetër.

Ky ishte mesazhi për të gjithë gratë dhe vajzat që kanë rënë pre e dhunës në familje, fenomen i cili vijon të jetë i përhapur dhe të përbëjë një problem serioz në shoqërinë shqiptare edhe në ditët e sotme.  

“Të gjitha së bashku ne bëjmë më të mirën. Duke marrë eksperiencat tona të gjitha bashkë ne bëhemi ndalesa shumë të mira që dhuna të mos avancojë, por ta evidentojmë dhunën përpara se të ndodhe”, u shpreh një pjesëmarrëse e shoqatës.

“Të gjitha këto projekte që ne kemi bërë dhe i kemi në vazhdim nuk bëhen vetëm. Duhet pjesëmarrja e të gjithë aktorëve siç jemi dhe sot”, u shpreh presidentja e bordit të shoqatës, Rubena Mojsiu.

Për t’ju ardhur në ndihmë dhe për ta parandaluar dhunën përpara se ajo të ndodhë, më shumë se një mijë gra dhe vajza të rëna pre e këtij fenomeni, morën mbështetje  nga shoqata “Refleksion”. Fushata “Ti nuk je vetëm” u shtri në 12 bashki gjatë gjithë periudhës së pandemisë COVID-19.

“Më shumë se 1 mijë gra nga komunitetet rurale dhe urbane në 12 bashkitë ku ne zbatuam projektin morën pjesë në aktivitetet ndërgjegjësuese dhe u njohën me ligjet kundër dhunës ndaj grave. Ato morën mbështetje të kualifikuar nga psikologe dhe eksperte të përzgjedhura, të cilat ju treguan se sit ë dalin nga ankthi, stresi dhe të riparojnë dëmtimet e mundshme të shëndetit mendor. Fushata “Ti nuk je vetëm”, pa hiporbelizuar është një histori suksesi në pandemi, por kjo nuk e zbut faktin se dhuna ndaj grave vazhdon të mbetet e padukshme apo ndoshta e neglizhua”, tregoi Drejtoresha ekzekutive e shoqatës“Refleksion”, Ani Ruçi.