Kastrati blen koncesionin e Rinasit: Ulet tarifa e pasagjerit dhe paketë 100 mln euro për investimet

27 Janar 2021, 20:18 | Përditesimi i fundit: 2021-01-28 08:53:16

Tarifa e pasagjerëve në aeroportin Nënë Tereza është ulur me 2.5 euro. Lajmi është bërë i ditur nga Tirana Internacional Airport, ku drejtori Costandin Von Alvesleben thotë se kjo ulje do të ndikojë edhe tek çmimi i biletës.

“Reduktimi i tarifës për pasagjer nga 12.5 euro në 10 euro është zhvillimi më i ri. Është një ndryshim i ligjit të koncesionit që është miratuar në vitin 2004 dhe mund të themi që jemi të lumtur sepse automatikisht do të shkojë në ulje të çmimit të biletës që pasagjerët paguajnë dhe mendoj që është një vendim që ndikon edhe në futjen e kompanive të tjera me kosto më të ulët”, u shpreh ai. 

Këto janë vendimet e para që po ndërmerren nga kompania shqiptare Kastrati Group, e cila mori në zotërim 100% të kapitalit aksionar të TIA-s, pas blerjes së aksioneve nga kompania kineze. Si pjesë e ndryshimeve të Kontratës së Koncesionit, TIA njofton edhe një paketë investimesh, prej afërsisht 100 milionë Eurosh duke pasur në fokus, zgjerimin e kapacitetit akomoduese të aeroportit me 6 milionë pasagjerë në vit, zgjatimin e pistës, përmirësimin e plotë të infrastrukturës dhe rritje të cilësisë së shërbimeve.

Ndryshimi tjetër është tek liberalizimi i tregut të karburantit të avionëve.

“Ka edhe një ndryshim tjetër që është liberalizimi i shërbimeve të tokës dhe liberalizimi i tregut të karburantit të Avionëve do të sjellin një erë të re në zhvillimin e transportit dhe aeroportit në tërësi”, sqaroi drejtori i TIA.