Tirana 100 vjet kryeqytet, historiani: Ishte zgjedhje e detyruar, s'ka pas vendim në Kongresin e Lushnjës

11 Shkurt 2020, 19:52

Tirana 1 shekull kryeqytet. Por, si u përzgjodh? Çfarë ndodhi me qeverinë e Durrësit asokohe? Po midis krerëve të jugut edhe të veriut, të cilët synonin, që kryeqytet të shpallej Vlora, Durrësi apo Shkodra? Historiani Beqir Meta na rrëfen të pathënat e kësaj ngjarje historike, që sipas tij, nuk është zbardhur si duhet, pasi ende për shpalljen e Tiranës kryeqytet i referohen Kongresit të Lushnjës

“Kryeqyteti i parë i Shqipërisë i përkohshëm ka qenë Vlora, që pas Pavarësisë atje u vendos qeveria. Vlora ka luajt këtë rol deri në mars të vitit 1914, që u vendos regjimi i Princ Vidit. Për këtë ka pas diskutime të mëdha nga fuqitë ndërkombëtare, edhe kandidatë me potencial derisa u vendos Durrësi, por edhe më pas ka qenë Vlora, Shkodra edhe Durrësi. Kjo ka pas të bëjë edhe me pozitën strategjike të Durrësit. Edhe disa qarqe diplomatike mendonin që të vendosej Shkodra, por kjo gjë u kundërshtua nga Austro-Hungaria”.