Tirana dhe Partizani piketojnë Dajën si teknikun e ardhshëm

16 Dhjetor 2019, 16:45

Partizani dhe Tirana ashtu si tetë skuadrat e tjera të Superligës do të inkuadrohen në fushë të mërkurën për javën e 16 të Superligës, por dy ekipet që të premten dhuruan spektakël në derbi në ‘Air Albania’ janë aktualisht pa trajner. Te Tirana Ahmataj iku para derbit, ndërsa përballë të kuqve drejtoi Egbo. Nga krahu tjetër humbja në derbi për Lerdën ishte e papranueshme për drejtuesit e Partizanit, të cilët vendosën ta shkarkonin dhe aktualisht kompetencat e drejtimit i kanë kaluar Renaldo Kalarit dhe Genc Tomorrit.

Gjithsesi nga burime brenda klubeve mësohet se drejtuesit nuk po rrinë duarkryq. Tifozët e Partizanit shpresojnë te rikthimi i Gegës, por vetë klubi i kuq ka të tjera alternativa. Gjasat janë që derbi të zhvillohet edhe për Ilir Dajën, trajnerin aktual të Skënderbeut. Edhe pse ky i fundit e ka mohuar largimin nga korçarët, nën rrogoz fshihen të tjera diskutime.