Tirana do të presë për herë të parë një garë “Triathlon”-i, sporti që bashkon tre disiplinat sportive më të njohura dhe të praktikuara në një garë të vetme: not, çiklizëm, vrap. Qindra sportistë, profesionistë ose jo, do të garojnë këtë të dielë përgjatë një itinerari të mirëpërcaktuar nga Bashkia e Tiranës, në harmoni me natyrën fantastike të Liqenit të Farkës, duke promovuar njëkohësisht edhe vlerat turistike të kësaj zone.
Një ditë para kësaj gare sportive, e cila synohet të kthehet në traditë për kryeqytetin, me synim rritjen e numrit të turistëve, kryebashkiaku Erion Veliaj zhvilloi një takim me organizatorët e Triathlon-it për të koordinuar detajet e fundit për mbarëvajtjen e garës. Veliaj tha se aktivitete të kësaj natyre po promovojnë çdo ditë e më shumë Tiranën dhe se qyteti po bie në sy si një destinacion fantastik në Ballkan.
“Pas organizimit të Maratonës së Tiranës për dy vjet radhazi dhe koncerteve të Rita Orës dhe Ermal Metës, nuk ka më dyshime se çfarë sjellin për qytetin tonë këto aktivitete; sjellin turizëm, promovim, ngrejnë emrin e qytetit, na fusin në harta të rëndësishme turistike dhe përmendemi në revista të tilla si Lonely Planet. Pra, të gjitha këto janë të lidhura, janë pjesë e një strategjie të madhe ku sa më shumë aktivitete të ndodhin në Tiranë, aq më shumë Tirana përmendet si destinacion turistik për Ballkanin”, tha Veliaj.
