Tirana kampione, tifozët festë në kohë COVID-i, urime që nga Meta e deri tek rivalët e Kukësit

20 Korrik 2020, 13:47

Kjo ishte festa që shpërtheu në sheshin “Nënë Tereza” në kryeqytet menjëherë pasi nga Shkodra erdhi lajmi i fitores së Vllaznisë me Kukësin që bëri Tiranën kampione. Tifozët bardheblu kishin 11 vite që prisnin dhe nuk pyetën por dolën të festonin edhe në kohë COVID-i.Policia u kujdes t’i shpërndante dhe shoqëronte ndonjërin prej tyre por gëzimi që i kishte pushtuar ishte shumë më i madh.Tirana ishte shumë pranë por mbrëmë u shpall edhe zyrtarisht kampione për herë të 25-të në histori. Një titull kampion që vjen në 100 vjetorin e themelimit të skuadrës. 69 pikë pas 34- javësh dhe 7 më shumë se Kukësi janë mëse të mjaftueshme që bardheblutë të fitonin një titull mëse të merituar. Dhurata erdhi nga Vllaznia dhe Tirana festoi nga kolltuku. Trajneri Emmanuel Egbo e priti lajmin dhe bëri festë në shtëpi duke pritur urimet e shumta. Meritën e ndau me të gjithë:

Emocione dhe festë mes lojtarëve ,stafit dhe drejtuesve por edhe mes tifozëve. Rrjetet sociale u mbushën me urime. Edhe rivali kryesor Kukësi e uroi Tiranën për titullin dhe i uron suksese në Kupat e Europës.Një urim ishte edhe nga Presidenti Ilir Meta që duke shpërndarë video të festës së tifozëve ku thotë që ndriçoi kryeqytetin shton se Tirana e meritoi titullin kampion. Një sukses mëse i merituar nga të gjithë në kampin bardheblu që vjen në 100-vjetorin e krijimit dhe që skuadra ka mundësinë t’i shtojë edhe një tjetër trofe , Kupën e Shqipërisë ku në finale luan me Teutën. 25 herë, skuadra më e titulluar në vend, Tirana rikthehet të festojë/ Përgatiti Andi kapxhiu.