Tirana 'luan tenis' me Apoloninë, bardheblutë afrohen me kreun! Skënderbeu zhyt në krizë të thellë Kukësin

4 Prill 2021, 18:48

Tirana ka marrë një fitore tenistike me shifrat 5-2 kundër Apolonisë për llogari të javës së 26 të Superligës. Në Air Albania bardheblutë e nisën shumë mirë takimin duke realizuar me Bathën, por brenda pjesës së parë miqtë nga Fieri përmbysën me Levendin. Sfida që ishte e thjeshtë në letër u bë e vështirë në fushë. Megjithatë në pjesën e dytë bardheblutë barazuan me Torrasën, para se Batha të përmbyste shifrat. Më tej gjetën rrugën e rrjetës dhe Ismailgeci me Kalen. Me këtë fitore kampionët në fuqi ngjiten në vendin e pestë me 41 pikë, 3 më pak se Partizani, ndërsa javën tjetër përballen me Skënderbeun.Ky i fundit ndërkohë ka bërë suprizën sot duke mposhtur në Elbasan Arena 0-1 Kukësin, që ka marrë humbjen e dytë radhazi dhe e ka çuar në 7 numrin e ndeshjeve pa fitore. Golin trepikësh e realizoi Mensah, ndërsa me këtë fitore korçarët ngjallin shpresën për mbijetesë në Superiore. Sakaq më herët Bylis barazoi 1-1 kundër Kastrioti, në një ndeshje që prodhoi shumë episode. Fillimisht zhbllokuan krutanët falë Prodanit në minutën e dytë, ndërsa më pas Ntepe barazoi për vendasit në pjesën e parë. Ky rezultat mbeti i pandryshuar deri në fundin e lojës. Ndërkohë po për llogari të javës së 26 të Superligës një ditë më parë Teuta mposhti 1-0 Laçin, duke marrë vendin e parë, me po aq pikë sa Vllaznia që barazoi pa gola kundër Partizanit. Javën e ardhshme, që luhet të shtunën dhe të dielën spikat përballja mes Laçit të vendit të tretë dhe Vllaznisë së vendit të dytë, që ndahen me dy pikë.