Tirana në finalen e Kupës, Halili-Egbo: U mbyllëm gojën akuzuesve

16 Korrik 2020, 14:08

Tirana-Teuta është finalja e këtij edicioni të Kupës së Shqipërisë. Një finale shekullore kjo duke pasur parasysh që për të dyja ekipet vjen në festimet për 100 vjetorin e krijimit dhe trofeu është synimi i vetëm. Durrsakët dhuruan spektakël dhe emocione duke përmbysur Kukësin 2-1 me golat e Kapllanit dhe Hoxhës ndërsa dueli i parë ishte mbyllur pa gola.

Tirana tregoi se kur e ka seriozisht e mund Bylisin. Bardheblutë e përmbysën humbjen 2-1 të ndeshjes së parë gjysmëfinale pasi dje fituan 2-0. Llogaritë u mbyllën që në pjesën e parë me Muçin dhe Hoxhallarin. Ndeshja e parë po hetohet nga Etika dhe Tirana është në bankën e të akuzuarve por Presidenti Halili dhe trajneri Egbo thanë se kjo fitore ishte për të mbyllur gojët e liga  atyre që akuzuan:

Presidenti Refik Halili :Kënaqësi e madhe se shkojmë drejtë dy objektivave sezonal. Fitimi i ndeshjes është përgjigjja më e mirë dhe jemi në finale.

Emmanuel Egbo trajneri i Tiranës: Me këtë fitore sot kemi mbyllur të gjitha ato llafe që janë përhapur pas ndeshjes në Ballsh. Jo e ka lënë Tirana ndeshjen etj. Nuk e kuptoj pse duhet ta linim finalen e Kupës kur e kemi objektiv.

Akti final i Kupës do të luhet më 2 gusht në “Air Albania”/ Përgatiti Andi Kapxhiu.