'Tirana, spital gjigant' Basha me mjekët: Po fshihen viktimat nga COVID! Rama shëtitje me 'cirkun' e vaksinimit! Ruani faturat e mjekimit, i rimbursojmë ne pas 25 prillit

25 Shkurt 2021, 19:23 | Përditesimi: 25 Shkurt 2021, 19:23

#reportTV #lajmeshqip #lajme Menaxhimi i pandemisë apo edhe raportimi i rasteve ditore e viktimave me COVID, për kryedemokratin Basha është një nga dështimet më të mëdha të qeverisë Rama. Gjatë një takimi me mjekët dhe ekspertë të shëndetësisë, Basha tha se keqmenaxhimi i pandemisë sa vjen e rendon mbi supet e shqiptarëve, ndërsa ka hedhur akuza se në fakt janë duke u fshehur faktet dhe shifrat reale të koronavirusit në vend. Basha tha se viktimat në vend janë shumë të larta, rreth 6 mijë më shumë. "Për fat të keq një nga paralajmërimet që erdhi mbi numrin mesatar të vdekjeve, janë më shumë se 6000 të cilët kanë humbur jetën. një kontrast shumëfish më i lartë se sa shifrat që raportohen", tha Basha. Akuzat nuk i kurseu as për kryeministrin Edi Rama, ku Basha u shpreh se në vend që të bënte vaksinë anticovid i fundit e bëri i pari, ndërsa shtoi se shëtit me "cirkun e tij" të vaksinimit sa në një vend në tjetrin duke bërë propagandë. Por propaganda tha Basha nuk e ndihmon Ramën të fsheh situatën e vërtetë që ndodhet vendi. "Nuk ka vend tjetër që ka një kryeministër që bën cirk dhe shkon duke parë si bëhet vaksina, kur në fakt detyra e tij është të sigurojë bazën për shëndetësinë dhe infrastrukturën e duhur. Ne i kemi dhënë zë shqetësimeve të qytetarëve, fshehja e fakteve është bërë për të fshehur përgjegjësinë. As nuk i kemi kërkuar të marrë masat e vendeve perëndimore, por që të jetë e fundit në çdo aspekt me vendet fqinje nuk është thjeshtë neglizhencë dhe dështim, por krim. Ato 6 mijë vdekje shtesë nuk janë numra, por njerëz, janë nëna, baballarë, motra, boshllëqe të pariparueshme që ka sjellë menaxhimi monstruoz i pandemisë nga kjo qeveri. Heroizmi i mjekëve shqiptarë është i pakrahasueshëm me askënd tjetër, kemi një qeveri që nuk çan kokën për mjekët dhe numrin e mjekëve e ka çuar në rekord, dhe të përpiqesh t'ia hedhësh fajin mjekëve është cinike, e pashpirt. Vetë bëri vaksinën me pretekstin ta provonte, sot do kishim një mjek më shumë të infektuar në vend që ta bënte ai vaksinën i pari", tha Basha. Kryedemokrati tha se Tiranë është kthyer në një spital gjigant, ndërsa shtoi se Shqipëria është i vetmi vend që ende nuk ka të dhëna nëse ka mutacion të covid apo jo. "Nuk ka asnjë informacion sa testime po bëhet nga ISHP e sa nga privati. Vetëm Shqipëria nuk jep informacion zyrtar nëse ka mutacion që qarkullon apo jo. Të gjithë vendet e tjera e kanë bërë. Kjo sepse prej 1 viti i vetmi prioritet i Ramës është propaganda dhe fshehja e shifrave, sepse atij nuk i interesojnë qytetarët. Shumica dërrmuese e shqiptarëve po zhyten në borxh për të kuruar të afërmit e tyre. Tirana është shndërruar në një spital gjigant", tha Basha. Një nga premtimet e Bashës pas 25 prillit ishte rimbursimi i faturave të kurimit të COVID, i cili u bëri thirrje shqiptarëve që t'i ruajnë dhe nëse nuk ia ka rimbursuar qeveria do e bëjë PD. "Ruani faturat e kurimit të COVID pasi qeveria e ardhshme do të bëjë gjithçka që në borxhin ku ju u ka mbytur kjo qeveri të mos jetë një gurë në qafën tuaj por po mundohemi mundohet t'ua lehtësojmë sa më shumë dhe për këtë po punojmë për një skemë që të jemi në gjendja ta vënë në zbatim pas 25 prillit. Regjistroni çdo shpenzim real të cilën kjo qeveri nuk e rimburson duke iu zhytur në krizë financiare", tha Basha.

b.ha./Shqiptarja.com