Tirana 'thyen' rregullat s'ka distancë dhe disa pa maska! Qytetarët e grumbulluar te sheshi 'Skëndërbej' për foto tek pema

29 Nëntor 2020, 15:53

Ndonëse situata e covid-19 në vendin tonë është me një nivel risku të shtuar, panorama që të ofron qendra e kryeqytetit është e njejtë si ajo e disa vite më parë ku qytetarët në prag të festave të fundvitit  mblidhen rreth pemës për të bërë foto.

Një foto familjare mund të na kushtojë shumë këtë periudhë pandemie ku kujdesi duhet të jetë maksimal, por në Tiranë duket se jemi ende shumë larg ndërgjegjësimit.

Edhe kafenetë janë të mbushura plot, ndërsa thirrjet për ti evituar sa më shumë daljet bien në vesh të shurdhët.

Ndonëse grumbullimet e tejkalojnë numrin prej 10 personash, ka disa prej të pranishmëve në shesh që nuk mbajnë as maska.

Por këto grumbullime duket se nuk shqetësojnë as efektivët e policisë, të cilët kalojnë në zonë por nuk ndërmarrin asnjë veprim.

Edhe në zonën e Liqenit Artificial në kryeqytet shihet një numër i lartë qytetarësh të cilët kanë zgjedhur që fundjavën ta kalojnë pikërisht nga liqeni ku krijohen grumbullime të shumta.

Mos respektimi i masave anti-covid përkthehet në rritje të shifrave të të infektuarve, çka sjell një rëndim të mëtejshëm të situatës dhe na çon drejt masave shtrënguese.