Tirana vlerësohet në Edicionin e 40 të Takimit për Miqësim Midis Popujve në Rimini

23 Gusht 2019, 17:21 | Përditesimi i fundit: 2019-08-23 17:23:08

Tirana është përzgjedhur sërish si histori suksesi për transformimin në një qytet miqësor me fëmijët dhe mjedisin, në një nga aktivitetet më të rëndësishme të jetës politike, urbanistike dhe arkitekturore italiane që u mbajt në Rimini. Kreu i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj mori pjesë në edicionin e 40 të Takimit për Miqësi Midis Popujve, ku morën pjesë personalitete të ndryshme të politikës, urbanistikës dhe arkitekturës nga Italia dhe vende të ndryshme të botës.

Në panelin me titull “Qyteti i sotëm, qyteti i së nesërmes”, krahas kryetarit të Bashkisë së Milanos, Giuseppe Sala dhe arkitektit të njohur Stefano Boeri, kryebashkiaku Veliaj solli sfidat me të cilat përballen sot qytetet si Tirana, për t’u bërë qytete më të jetueshme për të gjithë. Ai theksoi punën e madhe të bërë nga Bashkia e Tiranës në shtimin e këndeve të lojërave në çdo lagje, ndërtimin e shkollave të reja, projektin ambicioz të Pyllit Orbital, ku deri në vitin 2030 parashikohet të mbillen 2 milionë pemë, por edhe një sërë projektesh të tjera infrastrukturore që janë realizuar në bashkëpunim me studio prestigjioze të arkitekturës në botë.