Tiranë, gjendet i pajetë me plumb në kokë në garazhin e Gardës shoferi i ministrit Xhafaj

30 Qershor 2018, 13:07 | Përditesimi: 30 Qershor 2018, 17:15

TIRANË-Një punonjës i Gardës së Republikës, shofer i Ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj është gjetur i pajetë rreth orës 09:30 të ditës së sotme në garazhin e institucionit. Viktima është Shkëlzen Qordja. Ai është gjetur i vdekur me një plumb në kokë brenda në makinë në garazh nga kolegët kur shkuan për të marrë automjetet. 

Prokuroria e Tiranës, Policia e Shtetit dhe SHÇBA në një njoftim të përbashkët deklarojnë se provat e mbledhura deri më tani tregojnë se kemi të bëjmë me një vetëvrasje. Në vendin e ngjarjes janë gjetur tre gëzhoja, Shkëlzen Qordja ka një plumb në kokë, ndërsa dy plumbat e tjerë kanë përfunduar te xhami i makinës.

Nga veprimet e para hetimore rezulton se në mjetin e Gardës u gjet i pajetë, i ulur në sediljen e shoferit, punonjësi SH.Q. Makina ishte e parkuar në garazhin e caktuar për mjetet e Ministrisë së Brendshme, i cili u gjet i mbyllur nga brenda. Nga kqyrja rezultoi se në kokën e viktimës ka plagë tejshpuese të shkaktuar nga armë zjarri, me qitje me drejtim nga e djathta në të majtë. Në vendngjarje u gjetën 3 gëzhoja të qitura nga arma automatike tip “MP5”, e cila ishte në dorën e djathtë të viktimës, me levën e ndërrimit të llojit të zjarrit, në pozicionin “qitje breshëri”. Nga tërësia e veprimeve hetimore të kryera deri tani në vendin e ngjarjes, dyshohet se viktima është vetëvrarë, me armën e shërbimit

Policia e Shtetit

Policia e Shtetit thotë se Shkëlzen Qordja ka nisur punë në 2017 në Gardë. 'Shkëlzen Qordja ka nisur punë në Gardës e Republikës në datën 29.03.2017 dhe nuk ka qenë asnjëherë subjekt procedimi, pezullimi apo mase tjetër disiplinore' deklaron Policia e Shtetit.

b.ha./Shqiptarja.com