Tiranë, i drejtoi armën dhe nuk iu bind, polici qëllon për vdekje në kokë e shpatull të riun

8 Dhjetor 2020, 16:45

Tiranë-Një ngjarje e rëndë ka ndodhur rreth orës 01:45 të mëngjesit në rrugën "Dritan Hoxha" në Tiranë, ku 25 vjeçari Klodjan Rasha është qëlluar për vdekje nga një polic, në lagjen e tij, pak metra larg shtëpisë. I riu nuk i është bindur urdhrit të policit për të ndaluar, dhe pasi është ndjekur që nga rruga "Don Bosko" ku është konstatuar në shkelje të orës policore, i ka drejtuar armën efektivit, çka ka bërë që ky i fundit të reagojë duke e qëlluar.

Rasha, është qëlluar nga polici me 2 plumba, një në shpatull dhe një në kokë. Njëri nga plumbat i ka ardhur pas shpine. Si pasojë e plagëve që ka marrë i riu ka ndërruar jetë në spital. Për këtë ngjarje efektivi është arrestuar dhe në dëshminë e tij, ka thënë se ka dashur ta ndalojë të riun pasi ka thyer orën policiore e jo ta vrasë, por 25 vjeçari e ka kërcënuar dhe është larguar me vrap. Ai është nisur ta qëllojë në pjesën e poshtme të trupit, por kur ka gjuajtur herën e dytë nga errësira nuk e ka parë se ku e kapur plumbi.

Pas kqyrjes së vendit të ngjarjes dhe zonës përreth policia ka gjetur armën e zjarrit pistoletë që mbante i riu me një krehër me fishekë. Sipas burimeve arma i ka rënë Rashës gjatë ndjekjes, rreth 100 metër larg vendit ku është vrarë. Gazetari i Report Tv, Sokol Dema raporton se zona është e pajisur me kamera sigurie, madje i riu është vrarë pranë kamerave të një servisi makinash. Por kamerat e servisit kanë qenë të fikura dhe nuk kanë kapur asgjë. Edhe efektivi nuk kanë pasur kamera trupi të instaluara. Po ashtu bëhet me dije se janë vetëm disa pamje të një biznesi në afërsi të Kupolës, që kanë kapur disa sekuenca të lëvizjes në vrapim e sipër me shpejtësi të të riut. 

Sipas fqinjëve dhe familjarëve i riu kishte probleme psikologjike. Xhaxhai i 25 vjeçarit Hasan Rasha, ka deklaruar se ai kishte dalë për të pirë një kafe. Sipas tij ai nuk ka pasur armë me vete në momentin që është vrarë, ndryshe nga versioni i policisë. Më tej ai shton se familjarët fillimisht janë lajmëruar se ka ndodhur aksident, më pas se është arrestuar, por në fund u  thanë se 25 vjeçari ishte vrarë. Më parë 25 vjeçari ka qenë i sëmurë, por sipas Xhaxhait pasi është kuruar me ilaçe për nerva dhe është shtruar, nuk ka shfaqur më probleme.

Ndërkaq 25 vjeçari rezulton të jetë një person me precedentë të mëparshëm penalë. Në vitin 2016 është dënuar për plagosje të lehtë me dashje dhe për heqje të paligjshme të lirisë. Në këtë vit ka plagosur një person me kaçavidë. Për ngjarjen e sotme menjëherë është ngritur Grupi i Posaçëm Hetimor i përbërë nga SHÇBA dhe policia. Edhe prokurori ndodhet në vendngjarje dhe po ndjek e monitoron të gjitha veprimet që po kryhen.