Tiranë/ Pa maska e lëvizën pas orës 20:30, gjobiten 289 qytetarë dhe 3 biznese!

31 Dhjetor 2020, 15:11

TIRANË- 289 qytetarë janë ndëshkuar pasi nuk kanë respektuar masat anti-COVID. Më konkretisht 276 persona janë kapur duke lëvizur në rrugë pa maskë, 10 të tjerë duke lëvizur pas orës 20:30, teksa 4 të tjerë janë shoqëruar në Komisariat pasi nuk i dhanë policisë kartën e identitetit.

Gjoba ka pasur edhe për 3 biznese që aktivitetin në kundërshtim me protokollet e sigurisë, gjoba ndaj tyre është 10.000 lekë.

Nuk zbatuan masat anticovid, ndëshkohen me masë administrative 289 qytetarë. Strukturat e Policisë, krahas përmbushjes së detyrave funksionale për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e paligjshmërisë, kanë vijuar kontrollet në terren në të gjithë vendin, për të monitoruar zbatimin e masës për parandalimin e përhapjes së COVID-19, mbajtjen e detyrueshme të maskës mbrojtëse, e cila është detyrim për të gjithë qytetarët, që në momentin që dalin nga shtëpia.  

Si rezultat i këtyre kontrolleve, gjatë 24 orëve të fundit, në të gjithë vendin, Patrullat e Përgjithshme dhe ato të Policisë Rrugore kanë evidentuar dhe ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë secili, 276 qytetarë që janë konstatuar duke lëvizur pa maskat mbrojtëse. Gjatë kontrolleve janë shoqëruar në ambientet e Policisë në të gjithë vendin, 4 shtetas që nuk kanë pranuar t’i tregojnë punonjësve të Policisë dokumentin e identifikimit, të cilët pasi kanë paraqitur dokumentin e identifikimit, janë ndëshkuar me masën administrative 3.000 lekë dhe më pas janë lënë të lirë.