Tiranë/ Përfitoi 85 mln lekë nga shmangia e detyrimeve, arrestohet biznesmeni dhe ekonomisti

30 Qershor 2018, 18:11

IRANE-  Drejtoria e Hetimit Tatimor arreston 2 shtetas Erjon Tafa dhe Laert Barzezi , ky i fundit administratori i tre kompanive, ndërsa janë shpallur në kërkim 3 sirianë. Të arrestuarit së bashku me tre sirianët akuzohen për krijimin e një skeme mashtrimi që rezulton 85 mln lekë në dëm të shtetit.

Nga hetimi disa mujor ka rezultuar se tre shoqëritë ‘FM Investment’, ‘Trade Investment’ dhe ‘Albania Eksport Medicinal’ kryenin blerje brenda vendit dhe importe me vlera të larta, ndërkohë që shitjet ishin fiktive duke shmangur detyrimet ndaj shtetit dhe abuzuar me kreditimin e TVSH-së. Tre shoqëritë rezultojnë inekzistente.

Biznesmeni Erjon Tafa kishte në pronësi edhe një zyrë kontabël, ku krijonte kushte për të plotësuar dhe shkarkuar faturat e TVSH-së.

Sipas grupit hetimor produktet e blera u faturoheshin kompanive të tjera, aktiviteti i të cilave nuk korrespondonte me atë të Barzezit. Në përfundim të hetimit janë sekuestruar blloqe TVSH-je, fatura dhe mandate, ndërsa dëmi ekonomik nga aktiviteti rezulton se 85.250.000 lekë.