Për herë të parë në kohë rekord, është publikuar rezultati i zgjedhjeve për njësinë 10 në Tiranë, KZAZ 40, ku u aplikua votimi dhe numërimi elektronik. Sipas të dhënave rezulton që PS ka marrë më shumë vota se forcat e tjera, 6007 vota, ndjekur nga PD me 4550 dhe më pas LSI me 628, ndërsa PSD ka marrë 208. Rezultatet janë shfaqur live, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe kreu i KQZ-së, Ilirjan Celibashi.
Celibashi tha se rezultati doli ashtu siç ishte parashikuam në orën 08:00, ndërsa shtoi se mund të dilte edhe më herët, por u vonua që të gjitha partitë të ishin të sigurta, pasi votimi dhe numërimi elektronik u bë për herë të parë.
Po ashtu Celibashi i bëri thirrje partive që ta marrin masa dhe të zëvendësojnë komisionerët e lodhur, në mënyrë që të mos ndërpritet procesi i numërimit. Sipas Celibashit, historitë e komisionerëve duhet të marrin fund dhe se një gjë e tillë është diskredituese edhe për vetë partinë.
Sa i përket votave që kanë marrë kandidatët, rezulton se kandidati më i votuar është Fatmir Xhafaj, i PS-së, i cili ka marrë në total 2795, duke lënë pas me diferencë shumë të madhe kandidatët e tjerë. Nga PD më i votuari është kandidati Agron Shehaj, që ka marrë 525 vota, duke ja kaluar edhe kreut të kësaj force, Lulzim Bashës që ka marrë 492. Po ashtu një numër të konsiderueshëm votash për PD ka marrë edhe Dashamir Shehi 355, duke ja kaluar edhe ish-kreut të PD-së, Sali Berishës që ka marrë vetëm 238 vota. LSI paraqitet shumë dobët ku më e votuara rezulton Monika Kryemadhi e cila numëron vetëm 81 vota.