Tiranë, Rama inspekton kantierin për lagjen e re te '5 Maji': Gati në pranverën e 2022

18 Prill 2021, 11:23

Kryeministri Edi Rama ka inspektuar punimet në lagjen '5 maji' në Tiranë, ku do të jetë një lagje kryesisht për banorët e prekur nga tërmeti i 26 nëntorit 2019. Kjo lagje që do të marrë formën e saj brenda pranverës së 2022, do të jetë një nga më modernet duke u kthyer në një tjetër pol të rëndësishëm në Tiranë, si dhe do të përfshijë 5 objekte publike, mes tyre dhe një ministri, ajo e Financave ose e Bujqësisë do të vendoset me godinë në këtë zonë.

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga kryebashkiaku Erion Valiaj dhe Ministri Arben Ahmetaj, tha se në këtë lagje të re do të strehohen 11 mijë banorë në 3500 apartamente.

Gjithashtu në të do të jenë 5 objekte publike ndër të cilat edhe godina e përbashkët e tatime-doganave, 3 objekte arsimore, një shkollë profesionale, si edhe qendra franceze e edukimit të Teknologjisë Digjitale për rininë “ECOLE 42”, që do të ngrihet me mbështetjen e Presidentit Macron

Ministri Ahmetaj tha se 1000 apartamente janë për banorët e prekur nga tërmeti që do të riakolohen nga zona të ndryshme të Tiranës, ndërsa një nga ministritë ajo e Financave ose e Bujqësisë do të vendoset me godinë në këtë zonë.

"Janë ngritur tre kantiere që kanë nisur punën dhe do të jenë rreth 1000 apartamente për familjet e dëmtuara nga tërmeti që do të rialokohen nga zona të ndryshme të Tiranës, dhe një nga ministritë, ajo e Financave ose e Bujqësisë dhe  godina e tatime-doganave", tha Ahmetaj.