Tiranë, të dehur dhe me shpejtësi deri në 170 km/h në rrugë me lagështirë, arrestohen 21 drejtues automjetesh

10 Dhjetor 2018, 09:42

Policia Rrugore e Tiranës njofton se ka ushtruar kontrolle gjatë javës dhe fundjavës thuajse në të gjitha rrugët urbane dhe interurbane të kryeqytetit, me shërbime të shtuara dhe me mjete në patrullim, me qëllim parandalimin e ngjarjeve rrugore që vijnë si pasojë e shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor. Sipas policisë aksidentet më të zakonshme ndodhin kryesisht nga drejtimi i mjetit nën efektin e alkoolit dhe shpejtësia mbi normat e lejuara, si dhe kontrollin e akseve rrugore duke verifikuar problematikën që krijohet nga kushtet atmosferike me qëllim adresimin e mangësive entit pronar të rrugës.

Nga kontrollet policore, janë verifikuar shkelje “flagrante” të rregullave të qarkullimit, siç ishin nivelet e larta të alkoolit deri në 1.30 mg/l apo shpejtësitë deri në 170 km/h, që për kushtet e rrugës dhe lageshtirën ky nivel alkooli dhe shpejtësitë e larta, janë një rrezik potencial, jo vetëm për drejtuesin e mjetit dhe pasagjerët që udhëtojnë me të, por për të gjithë përdoruesit e tjerë të rrugës.